Transmetuar më 17-08-2019, 23:06

Manchester City ndalet në javën e dytë të Premier League, në  një barazim 2-2 përballë Tottenham.

Ndeshja në “Etihad Stadium” ishte një sfidë që ishte vërtetë emocionuese dhe spektakolare.

Ajo nisi e vrullshme për vendasit që zhvendosën lojën në gjysmëfushën e londinezëve dhe pas disa rastesh radhazi, arritën të zhbllokojnë rezultatin në 20’, me anë të Raheem Sterling.

Por Eric Lamela në 23’ u la i lirë jashtë zonës dhe goditi saktë duke dërguar topin në rrjetë dhe rikthyer baraspeshën.

Në minutën e 35-të ishte një tjetër argjentinas, Sergio Aguero, i cili kaloi kampionët në fuqi në avantazh, pas asistit të fantazistit belg Kevin De Bruyne.

Në minutën e 56’ Pochettino vendosi të aktivizojë brazilianin Lucas, i cili sapo vuri këmbët në fushën e blertë, gjeti menjëherë golin e barazimit, pas një topi të marrë nga argjentinasi Eric Lamela.

Në minutat shtesë Gabriel Jesus arriti të marrë një top në zonë dhe ta dërgojë në rrjetën e portës së Hugo Lloris, por VAR anuloi golin, pasi topi ishte prekur më herët me dorë nga mbrojtësi i “City”, Aymeric Laporte.

Goli u anulua, por ndërkohë që arbitri konsultohej me VAR, pati kohë edhe për një përqafim sqarues mes Guardiolës dhe Agueros, teksa argjentinasi e kuptoi gabimin dhe bëri paqe menjëherë me teknikun.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim rezultati, me Manchester City detyrohet të shkëputet nga kreu që në javën e dytë të kampionatit.

Në Spanjë, pas zhgënjimeve gjatë miqësoreve të verës, Real Madrid  në ndeshjen e parë të sezonit të ri të kampionatit spanjoll ia ka dalë të triumfojë me rezultatin 1-3 në transfertën e vështirë përballë Celta Vigos.

Karim Benzema shënoi golin e parë sezonal për madrilenët në 12’, pas një asisti të Gareth Bale.

Në 56’  kroati Luka Modriç u ndëshkua me karton të kuq, pas rishikimit me VAR të një ndërhyrjeje të rëndë ndaj kundërshtarit, por vetëm 5 minuta më vonë Toni Kroos gjeti golin e dytë. Asist i Marcelo.

Në 80’ Reali gjeti edhe golin e tretë me anë të Lucas Vasquez, pas pasimit që mori nga Benzema.

Goli i Losada për vendasit në minutat shtesë vulosi rezultatin e takimit.

Nga blerjet e verës vetës serbi Joviç u aktivizua në minutat e fundit të takimit, megjithatë Reali i Madridit e nisi me fitore sezonin e ri./a.m/noa.al/