Transmetuar më 17-08-2019, 18:00

Ish-deputeti, i njohur për publikun me nofkën “kaubojsi” ka dalë me një premtim të bujshëm, për prishjen e memorialit turk, që u vendos në Tiranë.

“Kush e shemb këtë ka një çmim të mirë: 2000 euro!”, ka qenë premtimi i Ndocaj.

Eduart Ndocaj, ish-deputet socialist në legjislaturën e kaluar, në vitin 2017 u zgjodh kryetar i Bashkimit Demokristian SHQIPTAR PBDKSH. Ai garoi në qarkun e Lezhës si kandidat i pavarur për deputet dhe kreun e bashkisë, por nuk fitoi, ndërkohë që akuzon klasën politike për vjedhje dhe manipulime.

Sakaq, ka pasur reagime të shumta lidhur me memorialin turk që u vendos në Tiranë. Madje edhe reagime ndërkombëtare. Sipas DË, edhe qytetarë të Tiranës kërkojnë heqjen nga Parku Publik të Memorialit për të rënët turq në grushtin e shtetit 2016 në Turqi. Analistë të pavarur në Tiranë e shohin ngritjen e Memorialit si një veprim të nxituar.

Memoriali qëndron që prej një muaji në Parkun e Madh të Tiranës, pranë Liqenit Artificial. Në një pllakë prej betoni, janë gdhendur emrat e 251 të rënëve që kontribuan në dështimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi, kundër qeverisë së Presidentit Erdogan.

Rrugës që të çon tek Memoriali i është dhënë emri "Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe zona e parkut ku është ngritur Memoriali, me investimin financiar të Agjensisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, (TIKA) është quajtur "Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”.

Që Memoriali u inagurua në mes të muajit të kaluar u bë e ditur për opinionin publik ditët e fundit nga media lokale në sajë të njoftimit dhe fotove të publikuara nga ceremonia e rastit në Website dhe median sociale të Ambasadës Turke në Tiranë.

Autoritetet e Tiranës kanë evituar dhënien e shpjegimeve lidhur me ngjarjen. PD dhe opozita jashtë parlamentare, në sulm të pandërprerë kundër qeverisë Rama, hesht. Një përfaqësues i saj mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të Memorialit, organizuar nga Ambasada Turke në Tiranë./a.m/noa.al/