Transmetuar më 17-08-2019, 09:27

Arrestohen dy persona si përgjegjës lidhur me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Faik Konica” këtë të premte në Tiranë, ku si pasojë e shembjes së skelës së vendosur në një pallat ku po kryheshin punime, humbën jetën dy punëtorë dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.

Nën akuzën e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, u vunë në pranga Xhimi Tarushi 41 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe Ilir Bendo 44 vjeç, me detyrë drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e Petrit Sylës, me detyrë administrator i firmës skela “Syla”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”.

Kjo pasi në rrugën “Faik Konica” në pallatin Nr.2, firma “Xhimi” me administrator e drejtues teknik punimesh, shtetasin Xhimi Tarushi, ka kryer punime në fasadën e jashtme të pallatit për veshjen me sistemin termoizolues (kapot). Po në këtë pallat, firma skela “Syla” me administrator shtetasin Petrit Syla dhe drejtues teknik të punimeve e montimit të skelës inxhinierin Ilir Bendo, ka montuar skelën metalike për punimet në fasadë.

Si pasojë e punimeve në këtë pallat, rreth orës 15.00 është rrëzuar skela metalike, e për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Ergys Brahima, 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën “Xhimi”, si dhe Orjan Kodraj, 36 vjeç, punëtor i firmës skela “Syla”.

Po nga rrëzimi i skelës janë plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën, shtetasit Genti Bardhi punëtor ndërtimi i firmës “Xhimi”, Euglidios Lika dhe Altin Marku, punëtor i firmës skela “Syla”.

Gjithashtu për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për punonjësit e Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi punonjësit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës.

Për ndjekje të mëtejshme lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës.

Mësohet se në pallatin prej 13 kate ku ndodhi ngjarja, një firmë private po kryente punime për veshjen me sistem termoizolues, siç njihet ndryshe kapot.

Ndërkohë kompania e skelave ishte kontraktuar nga subjekti “Xhimi Tarushi”. /a.y/noa.al