Transmetuar më 16-08-2019, 15:26

Nuk ka kaluar edhe aq lehtësisht ngjarja e djeshme në Qeparo, ku u dhunuan disa turistë të huaj, të cilëve iu dëmtua edhe automjeti.

Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, ka udhëtuar drejt bregdetit jugor, ku edhe ka takuar familjen spanjolle, të cilëve u ka kërkuar ndjesë për ngjarjen, ndërsa autoritetet arrestuan pak orë më vonë pronarin e lokalit, ku edhe ndodhi ngjarja.

Pas dhunës së ushtruar ndaj disa turistëve spanjollë, policia njofton se ka arrestuar shtetasin M.K., 51 vjeç, banues në Sarandë.

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve”, theksoi ministri Klosi, në takimin me ta.

“Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtëpërdrejtë të qeverisë”, ka qenë reagimi i Blendi Klosit, një ditë pas ngjarjes në Himarë.

Ish-Kryeministri Sali Berisha, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar, duke e cilësuar “Fake News” për Borshin. Ngjarja, sipas Berishës "përgenjeshtrohet nga qytetari dixhital!"

Në mesazhin që bëri publik ish-kryeministri pretendohet se dhunuesi është kushëriri i parë i ish-deputetit socialist, Koço Kokëdhima, i cili drejton aktualisht partinë e tij “Zgjidhja”, madje ka kaluar në opozitë.

“Po ju shkruaj në lidhje me një lajm të modifikuar që ka qarkulluar sot, sikur nje pronar lokali ne Borsh ka rrahur disa turiste spanjolle. Nderkohe e verteta eshte qe ngjarja ka ndodhur tek restorant Panorma, ne pronesi te M. Kokedhima (kusheri i pare i Kocos). Lajmi eshte modifikuar qe te mbulohet autori i vertete, dhe qe ti behet anti-reklame Borshit padrejtesisht.

Publikojeni ju lutem qe kush e lexon ta bojkotoje ate restorant ne Porto Palermo (dhe jo ne Borsh)”, ka qenë reagimi i Berishës.

Ngjarja e shëmtuar ndodhi dje në Qeparo të Himarës ku pesë turistë spanjollë janë dhunuar barbarisht nga pronari i lokalit dhe të afërm të tij, pasi ata ishin shprehur të pakënaqur nga ushqimi.

Ndërkohë në rrjetet sociale janë publikuar foto dhe video që tregojnë furgonin e shkatërruar me të cilin udhëtonin turistët spanjollë.

Fatmirësisht turistët kanë mundur të largohen disa kilometra deri sa kanë parë një patrullë të policisë, e cila ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.

/a.m/noa.al/