Transmetuar më 16-08-2019, 12:20
Arma e sekuestruar

Parandalohet një krim në familje në Kamëz, ku burri ka tentuar të vrasë me armë grua.

Ndërhyrja e policisë e sinjalizuar nga fqinjët, ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes një çifti bashkëshortësh.

Uniformat blu kanë bllokuar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik me qytë druri, dy karikatorë dhe 96 fishekë, të cilat u gjetën gjatë kontrollit në banesë, duke vënë në pranga të zotin.

Efektivët e komisariatit nr.5 në Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Bathore, Kamëz po ndodhte një konflikt i ashpër midis dy bashkëshortëve, ndërhyn me shpejtësi.

Kështu u vu në pranga Ramiz Sina, 60 vjeç, banues në Bathore, Kamëz.

Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit automatik dhe fishekëve.

Lidhur me rrethanat e kësaj ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Dhuna në familje”. /a.y/noa.al