Transmetuar më 16-08-2019, 12:03

Një konflikt me disa turistë spanjollë është shënuar pasditen e kësaj të enjteje në një lokal në Porto Palermo në Himarë, ku i zoti i lokalit ka goditur pushuesit.

Pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të 51-vjeçarit Mihal Kokëdhima me banim në Sarandë.

Kjo pasi pasditen e djeshme, në lokalin e tij bar-restorant në Porto Palermo të Himarës, Kokëdhima për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë.

Më pas ka ai dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta dhe 51-vjeçari i’u ka shkaktuar dëmtime në trup, ku më shumë është dëmtuar turistja spanjolle K.R.

Mësohet se turistët spanjollë kishin shkuar në lokal dhe kishin porositur peshk të freskët.

Ata i’u kanë kërkuar punonjësve të lokalit që t’ua tregonin peshkun dhe kur e kanë parë, nuk e kanë pëlqyer duke anuluar porosinë. Kjo ka inatosur së tepërmi të zotin e lokalit i cili është konfliktuar fizikisht me ta.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”. /a.y/noa.al