Transmetuar më 16-08-2019, 10:13
Valdrin Pjetri

Nuk ka qetësi për Valdrin Pjetrin, pavarësisht dorëheqjes së tij si kandidat fitues për postin e kryebashkiakut të Shkodrës.

Prokuroria e Përgjithshme ka marrë gjurmat e gishtërinjve të tij, për verifikim.

Mësohet se Pjetri është paraqitur në organin e akuzës këto ditë, para se të jepte dorëheqjen, dhe ka kryer procedurën e regjistrimit të gjurmëve të gishtave.

Kështu gjurmët e marra do të përdoren me qëllim hetimin e çështjes së hapur ndaj tij në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Po ashtu sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i ka kërkuar Interpol dhe Europolit, informacion lidhur me precedentët penalë të Pjetrit gjatë viteve 2001-2002.

Kjo pas publikimit të dokumentit nga Partia Demokratike, nëpërmjet të cilit Pjetri rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Në mesazhin e tij të dorëheqjes ditën e djeshme, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, sqaroi se, “Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”, shkruan Pjetri.

Ai nënvizoi më tej se, në kushtet kur vetë, por dhe familja e tij po përballen me një situatë të tillë, do ta çojë deri në fund çështjen.

“Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, deklaroi Pjetri. /a.y/noa.al