Transmetuar më 15-08-2019, 19:47

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka dhënë sqarime shtesë mbi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për patentat.

Ai thotë përmes rrjeteve sociale se nga kjo marrëveshje përfitojnë shqiptarët që janë rezidentë në Itali.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin apo pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.

Ministri shkruan se shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, se nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.

Ndërkaq, marrëveshja në fjalë do të hyjë në fuqi duke filluar nga data 8 shtator 2019. /k.k/noa.al/