Transmetuar më 15-08-2019, 12:03

Ferdinand Shehu, ish-drejtori i ALUIZNI Tiranë, i është drejtuar gjykatës së Apelit Tiranë për të kërkuar kthimin mbas të 1.5 milion eurove të sekuestruara.

Seanca e sotme lidhur me kërkesën e tij, u shty për shkak të mungesës së prokurorit, ndërkohë që Shehu i pranishëm në sallë, pretendoi se paratë e sekuestruara i ka të provuara ligjërisht.

Lidhur me paratë e dyshuara, ai ka thënë se janë të ardhura nga shitja e një hoteli dhe se çdo gjë është e ligjshme.

Sekuestro ndaj pasurisë së tij u bë më 1 gusht në kuadër të operacionit të koduar “Investimi” ku policia tha se ka sekuestruar 1.5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, sekuestruan llogarinë e majme bankare, të një personi, ish- punonjës i administratës shtetërore.

I dyshuari në vitet 2006- 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane, ALUIZNI.

Shehu dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, i dyshuari ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat. /a.y/noa.al