Transmetuar më 14-08-2019, 11:47

Policia e Kavajës ka arrestuar një 29-vjeçar, i cili ishte kthyer në makthin e banorëve, pasi vidhte banesat. Vetëm gjatë muajve të fundit, policia ka zbardhur katër vjedhje banesash në Kavajë.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe arrestimin e autorëve, shërbimet e Policisë të Komisariatit Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune të bërë me metoda speciale të hetimit, organizuar dhe finalizuan operacionin “Shëtitësi 1”, ku u bë e mundur zbardhja e 4 rasteve të vjedhjes së banesave të ndryshme në Kavajë.

Si rezultat i operacionit u bë ndalimi i shtetasit: B. A., 29 vjeç, banues në Luz të vogël Kavajë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas muajt e fundit në qytetin e Kavajës ka vjedhur në 4 banesa, në të cilat ka vjedhur vlera monetare, bizhuteri dhe orendi të ndyshme shtëpiake.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” në ngarkim të B. A./b.l/noa.al/