Transmetuar më 13-08-2019, 21:54

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kejdi Mehmetaj ironizon me skandalin më të fundit politik, atë të kandidimit të Valdirn Pjetrit për kryetar të Bashkisë së Shkodrës, i cili sipas opozitës rezulton të jetë një person me të shkuar kriminale në Itali.

Përmes rrjeteve sociale, Mehmetaj thekson se edhe një herë që mund ta merrnin Shkodrën pa garë, vunë një person me të shkuar kriminale në Itali.

Sipas saj "maska është çjerrë, madje është hequr fare, asnjë lojë marketingu, as gjoja “larja e duarve” me Kryetarin Rilindas të Shkodrës, nuk e shpëton më këtë pushtet dhe Edi Ramën si kreun fuqiplotë të tij".

“Gjatë këtij gushti shumë të nxehtë dhe tepër të vështirë qoftë në aspektin social por mbi të gjitha ekonomik, shqiptarët po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike. Ndërkohë që të gjithë kërkojnë reflektim e zgjidhje, e kundërta po ndodh e çdo ditë qytetarët ndjejnë të ushtrohet mbi ta presion, arrogancë, kokëfortësi e padrejtësi nga një pushtet që antikushtetueshmërisht po mban peng institucionet tona. Ndërsa familjet e thjeshta shqiptare shohin se si shteti hidhet kundër tyre me gjoba, taksa e kërcënime, pushtetarët, oligarkët dhe kriminelët shpërblehen me koncesione, PPP dhe ofiqe të larta. Aq i zhytyr është ky pushtet në batakun e korrupsionit e krimit, sa edhe njëherë të vetme që menduan se do e merrnin Shkodrën (pa garë), përfunduan duke dekoruar si kryetar të saj modelin tipik të rilindasit; atë që shpërblehet jo për zotësi, por për lidhjet e pashmangshme me krimin (ku duhet theksuar narkotrafiku mbizotëron). Maska është çjerrë, madje është hequr fare, asnjë lojë marketingu, as gjoja “larja e duarve” me Kryetarin Rilindas të Shkodrës, nuk e shpëton më këtë pushtet dhe Edi Ramën si kreun fuqiplotë të tij,”-shprehet nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.