“Pres me padurim verifikimin e figurës sime”, PD: Përgatitu Valdrin, të pret burgu
Transmetuar më 13-08-2019, 15:26

Partia Demokratike e Shkodrës i ka kthyer përgjigje Valdrin Pjetrit, i zgjedhur kryebashkiak i Shkodër në 30 qershor. Ky i fundit reagoi pasi PD, përmes Gazment Bardhit nxori dokumentet e kuestures italiane që tregonin dënimin dhe dëbimin e Pjetrit në Firence.

Valdrin Pjetri u shpreh sot se të vërtetën e tij e deklaroi para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumente zyrtare.

“E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane”, deklaroi Pjetri.

Por nga ana e saj Partia Demokratike shprehet se të vërtetën qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë e panë dhe e lexuan me dokumente.

“Ndjekja e të njëjtës rrugë mohimi që ndoqi edhe Elvis Rroshi i Kavajës, do të jetë pa sukses. Mashtrimi nuk mund ta fshehë të vërtetën. Ti nuk ke pse pret për të parë deri kur do të të mbrojë Edi Rama. Mos shpreso kot Valdrin! Edi Rama nuk të mbron dot, me gjithë premtimin që të ka dhënë.

Ti e di më mirë se kushdo tjetër që je i arrestuar, i dënuar dhe i dëbuar nga Italia si trafikant droge. Nëse e ke “harruar”, pyet Edi Ramën se ta konfirmon ai përgjigjen zyrtare që ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë.

Përgatitu Valdrin! Të pret burgu shumë shpejt! Shkodra është djep i kulturës dhe qytetarisë! Shkodranët e refuzojnë drejtimin nga një trafikant droge, fallsifikator e mashtrues si ty! Shkodra është e qytetarëve të saj dhe jo e trafikantëve të drogës!”, shprehet PD./b.l/noa.al/

“I dënuar në Itali”, reagon Valdrin Pjetri: Pres me padurim verifikimin e figurës sime

Loading...
Loading...