Transmetuar më 12-08-2019, 19:58

Paris SG tregoi menjëherë se do të jetë sërish favoriti kryesor dhe skuadra për t’u mundur në sezonin e ri të kampionatit francez.

Parizienët u nisën me fitoren e pastër 3-0 kundër Nimes, ndërsa yjet e formacionit të Thomas Tuchel, si Cavani, Mbappe dhe Di Maria sfumuan çështjen më të nxehtë të verës që mban emrin e Neymar.

Por fitorja e skuadrës nuk e zbuti aspak irritimin e tifozëve vendas, që gjatë gjithë sfidës me pankarta dhe kore sulmuan ashpër sulmuesin brazilian, që kërkon me çdo kusht largimin drejt Spanjës, ku e presin Real Madrid dhe Barcelona.

Sa i përket ndeshjes, Paris SG dominoi në fushën e lojës, ndërsa mbylli në epërsi pjesën e parë, falë golit të shënuar me 11-metërsh nga Edison Cavani në minutën e 24-rt. Me rikthimin në fushë për fraksionin e dytë të sfidës, Kylian Mbappe dyfishoi shumë shpejt rezultatin.

Me këtë sukses, Paris SG i ka treguar shumë shpejt të gjithë rivalëve se me apo pa Neymar, nuk do ta dorëzojë lehtë titullin kampion në Francë.