Transmetuar më 11-08-2019, 21:36

Dy vite më parë, moderatorët e njohur Bieta Sulo dhe Alban Dudushi, u bënë prindër për herë të parë me një djalë, të cilin e pagëzuan me emrin Kroi.

Por dy vite pas ardhjes në jetë të vogëlushit, Bieta ka rrëfyer për depresionin që ka kaluar pas lindjes.

Në një intervistë për “Class”, moderatorja ka folur pa dorashka për periudhën e vështirë pasi solli në jetë Kroin.

“Ehhhh… ishte një ndjesi e çuditshme, sepse të vinte për të qarë dhe ti nuk e kuptoje pse-në. Njerëzit më uronin për djalin, për shembull, unë qaja dhe habitesha edhe me veten.

Sigurisht që e kuptova shumë shpejt se për çfarë bëhej fjalë, depresioni pas lindjes. E kalova shumë shpejt dhe besoj që më ka ndihmuar edhe fakti që prej ditës së dytë kemi dalë nga shtëpia, e morëm Kroin dolëm për një kapuçino, bëmë shëtitje me karrocë dhe, nga ana tjetër, edhe Albani ka qenë shumë pranë meje.

Mendoj se të dalësh nga shtëpia është zgjidhja, të takohesh me shoqërinë, ashtu me fëmijën me vete, sepse kupton që jeta qenka njësoj, madje më e plotësuar, se ke edhe një shok të vogël me vete (siç është rasti im me djalë)…”- ka rrëfyer Bieta.