Transmetuar më 11-08-2019, 10:34

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, uron gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Megjithatë ajo nuk ka kursyer edhe një mesazh politik, teksa thotë se të gjithë kanë nevojë për më shumë reflektim dhe solidaritet, teksa përmend edhe plagët sociale.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Nga zemra uroj një Bajram të begatë për çdo familje shqiptare! Kurban Bajrami është festa më simbolike e besimit të plotë tek Krijuesi, festë e cila na transmeton disa mesazhe esenciale mbi vlerat e jetës dhe mënyrën se si ajo duhet jetuar! Qëllimi i kurbanit dhe besimit nuk qëndrojnë tek materialja, përkundrazi. Sakrifica në emër të Zotit, ndihma për nevojtarët, dashuria në familje dhe paqja janë urtësitë e kësaj feste!”, shkruan Kryemadhi.

Ajo thotë se ne të gjithë kemi nevojë që ti reflektojmë këto parime në jetët tona dhe shoqëri.

Sipas saj, Shqipëria sot ka nevojë për më shumë solidaritet në mënyrë që të ofrojë mundësi për një të ardhme më të mirë, për të gjithë.

“Plagët sociale si varfëria, korrupsioni, emigrimi dhe probleme të tjera shoqërore mund të gjejnë zgjidhje vetëm duke ndërtuar sisteme të drejta e të ngritura mbi vlera! Ne duhet të fitojmë kohën e humbur!”, thotë në mbyllje kryetarja e LSI. /a.y/noa.al