Meta uron Kurban Bajramin: Kjo ditë na fton për dialog! Të ngrihemi mbi interesat personale
Transmetuar më 11-08-2019, 08:23

Presidenti Ilir Meta uron gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!”, shkruan Meta.

Ai thotë se kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uron të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!

Sipas tij, dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.

“Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen! Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin!”, thotë në mbyllje Presidenti. /a.y/noa.al

Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”

Loading...
Loading...