Transmetuar më 10-08-2019, 21:31

Për Zotin i rëndësishëm është akti i zemrës, qëllimi i flijimit

Kuptimi dhe rëndësia themelore e secilës normë islame, është fisnikërimi, humanizmi dhe përsosmëria e njeriut.

Prandaj, myslimanët, duke kryer disa nga ceremonitë fetare, kanë për detyrë që, para së gjithash, t’i afrohen sa më shumë që është e mundur parimit universal islam, i cili në Kur’an dhe në Sunet shpesh është i shprehur si “mut-tekun”, shprehje e cila ka të bëjë me “takva”, që do të thotë devotshmëri, besim dhe religjiozitet.

Secilin mysliman/myslimane Kur’ani e detyron që të sillet si i ka hije dhe siç i takon një qenieje të arsyeshme.

Besimtarët e kanë për detyrë që të përpiqen vazhdimisht të rendin kah arritja dhe realizimi i të vërtetave. Edhe kurbani është në funksion të një rendjeje të tillë.

Kuptimin dhe rëndësinë e detyrës së kurbanit, më së miri e shpjegon ajeti 37 i sures Haxh, ku thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…”, që Allahu e vë në pah shumë qartë se tek Ai nuk arrin asgjë nga ajo që jepet për Të dhe në emër të Tij, po qe se nuk është rezultat i besimit dhe bindjes ndaj Tij.

Në suren En’am vërtetohet se kurbani, secila lutje, secila sakrificë, jeta dhe vepra i takojnë Një të Vetmi. Në këtë frymë jetuan e vepruan Ibrahimi dhe Muhamedi a.s., si dhe të gjithë profetët e tjerë.

“Lexoju (o Muhamed) atyre ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbane, nga të cilët njërit iu pranua, ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve” (Maide, 27). Ajeti i mësipërm tregon se institucioni i kurbanit daton që nga koha e Ademit, por vë në pah se, përveç kurbanit, duhet të ekzistojë edhe sinqeriteti dhe kërkon që kurbani të bëhet vetëm në emër të Allahut.

Në ngjarjen e njohur për Ibrahimin dhe Ismailin a.s. në Kur’an flitet më bindshëm për dimensionin shpirtëror (të brendshëm) të kurbanit, ku thuhet: “Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha:

“O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të flijoj ty. Shiko pra, çka mendon ti? Ai tha: “O babai im, puno atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, në dashtë Allahu, prej të duruarve. E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe (ai) e përmbysi atë në fytyrë (në ballë), Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim, ti tashmë e zbatove ëndrrën. Ne kështu i shpërblejmë të mirët. Vërtet kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. Dhe ndaj tij Ne lamë një kujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm. Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi. Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit. Vërtet, ai ishte nga robtë Tanë besimtarë.” (Saffat, 101-111)

Sprova e Ibrahimit qe e madhe dhe e pashembullt në histori, por ai pa kurrfarë kundërshtimi iu përgjigj thirrjes së Allahut. Për këtë u shpërblye me afërsinë e tij tek Allahu, u quajt “miku i Allahut”, si dhe kujtimin e veprën e tij do ta ruajnë të gjitha gjeneratat.

Pejgamberi a.s. në fjalën dhe veprën e vet ka treguar kohën, mënyrën dhe lëndën e kurbanit, si dhe ka folur për rëndësinë e seriozitetin e plotë që ai ka. Ibn Abasi tregon se Pejgamberi a.s. në ditën e Kurban Bajramit iu drejtua besimtarëve me fjalët: “Në këtë ditë njeriu nuk mund të bëjë ndonjë punë më të mirë sesa të therë kurban, përveçse të vizitojë farefisin dhe miqtë.” Seid bin Musejeb përcjell se Muhamedi a.s. ka thënë: “Allahu krenohet para engjëjve me tri melodi: me melodinë e ezanit, me melodinë e tekbirit dhe me melodinë e telbijes”.

Sipas komentuesve myslimanë tekbiri ka zënë fill në momentet kritike të sprovës së Ibrahimit, kur vendosi që ta flijojë të birin në emër të Allahut dhe kur engjëlli Xhibril, me dëshirën e Krijuesit të madhëruar, i solli dashin si zëvendësim për flijimin e Ismailit. Atëherë Ibrahimi thirri: “Allahu Ekber, Allahu Ekber”. Kur dëgjoi këto fjalë Ismaili u përgjigj: “La ilahe il-lallah uallahu ekber”, ndërsa Ibrahimi shtoi: “Allahu ekber ue lil-lahil-hamd” (Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Allahu është më i madhi dhe Atij i takon gjithë falënderimi.) Subjekti i flijimit (kurbani) dhe sistemi i flijimit ndryshojnë te popujt e ndryshëm, Por tek të gjithë është i rëndësishëm segmenti i përbashkët: “Ne i kemi caktuar secilit popull vend-therjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e Allahut për arsye se i furnizon ata me kafshët. Zoti juaj është vetëm Një, andaj vetëm Atij dorëzojuni, dhe përgëzoji të dëgjueshmit, të cilët kur përmendet Allahu, u dridhen zemrat e tyre, të cilët janë të durueshëm ndaj asaj që i godet, të cilët rregullisht e falin namazin dhe të cilët për qëllime të dobishme japin nga ajo me të cilën Ne i furnizuam” (Haxh, 34-35). Për Zotin është me rëndësi akti i zemrës, qëllimi i flijimit, ndërsa vetë sakrificën e vë në plan të dytë. Islami me Kur’anin plotësohet dhe merr formën e vet të plotë e të përhershme. Muhamedi a.s. është i fundit nga mësuesit e mëdhenj të besimit në një Zot, dhe vazhdues i traditës, e cila shpie gjer te Ibrahimi dhe Ismaili a.s., si dhe trashëgimtari i tyre shpirtëror. Është plotësisht e kuptueshme që disa urdhra dhe institucione të vendosura nga Ibrahimi a.s., si p.sh. haxhi, të bërit synet dhe kurbani, gjejnë zbatim të plotë nga Islami. Prandaj praktika islame e flijimit daton nga Ibrahimi a.s., nga ai moment madhështor kur ky hero i vërtetë i historisë njerëzore, vendosi të flijojë djalin e tij, duke iu nënshtruar urdhrit të Allahut, i cili iu transmetua në ëndërr. Shembulli i Ibrahimit paraqet rastin e ngritjes më të lartë shpirtërore dhe vullnetit të pathyeshëm, i cili të çliron nga çdo gjë që paraqet pengesë në rrugën e përgjegjësisë dhe të njeriut të ndërgjegjshëm. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, i rëndësishëm është edhe aspekti i tij social, ndihma për tjetrin që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku ta kalojmë gëzueshëm këtë festë islame. Alban Islami

Ibrahimi dhe Ismaili a.s. – shëmbëlltyrë e sakrificës dhe flijimit

Gjatë gjithë jetës së tij në shërbim ndaj Allahut, Ibrahimi a.s. lutej që të ketë pasardhës dhe sa më shumë që kalonin vitet dhe plakej aq më shumë i shtohej dëshira për të pasur fëmijë: "Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve" (Safat, 100). Allahu ia plotësoi dëshirën në pleqëri dhe e mëshiroi duke e gëzuar me Ismailin a.s.: "Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)" (Saffat, 101). Për Ibrahimin a.s. Ismaili i vogël nuk ishte vetëm një fëmijë i shumëpritur, por ishte kurorëzim i një dëshire pas një kohe të gjatë vuajtjesh, fryt i jetës së tij dhe manifestim i mëshirës së Zotit ndaj tij. Ismaili u rrit në shtëpinë e Ibrahimit a.s. plot gëzim, i rrethuar me dashurinë atërore të babait. Por Allahu kishte një plan dhe kishte vendosur që gjërat të merrnin një rrjedhë tjetër për Ibrahimin dhe Ismailin. Ibrahimi pa në ëndërr se iu urdhërua ta bëjë kurban, për hir të Zotit, birin e tij, Ismailin 13 vjeçar. Atij i ishte dashur të priste 83 vjet që t’i lindte një djalë dhe të ndiente e të manifestonte dashurinë atërore ndaj tij. Kjo ishte një sprovë e vështirë për të. Ibrahimi i qe nënshtruar dhe dorëzuar Allahut plotësisht me tërë qenien e tij dhe pa kushte, sepse ai bartte në vete fuqinë e besimit dhe premtimin e dhënë. Fuqia e fesë dhe imani i tij i paluhatshëm kishin bërë që ai të ishte i gatshëm ta çonte në vend vullnetin e Allahut dhe të jepte çdo gjë nga vetja e tij. Allahu, duke e vënë në sprovë Ibrahimin, deshi që ai të dëshmonte besimin dhe fenë e tij. Është vështirë të përshkruhet gjendja e Ibrahimit. Mjafton të përfytyrohet ajo skenë dhe na kaplon rrëqethja. Si mund ta merrte Ibrahimi djalin e tij, frytin e jetës, gëzimin e zemrës, që e kishte pritur gjithë jetën, ta shtrinte në tokë dhe të vendoste thikën në qafën e tij për ta therur atë?! Mirëpo, kur Allahu ia kërkoi Ibrahimit një gjë të tillë, ai nuk u mundua të gjente pretekste të ndryshme për t’iu shmangur punës dhe as që u përpoq ta kuptonte arsyen e urdhrit, por vendosi të realizonte atë në emër të Zotit dhe për hir të Tij. Ky ishte një veprim madhështor, sepse për Zotin duhet të sakrifikohet çdo gjë. A e kuptojmë ne dhe a e vlerësojmë si dhe sa duhet personalitetin madhështor të Ibrahimit? Ibrahimi do ta kishte më lehtë që të therej nga Ismaili dhe jo ta therte Ismailin e ri, kurse babai plak të jetonte. Por ky ishte urdhër i Zotit. Prandaj, Ibrahimi ia tregon të birit këtë gjë dhe kërkon të marrë mendimin e tij. Kështu në Mina ndodhi një bisedë e jashtëzakonshme mes babait dhe të birit: "… ai (Ibrahimi) tha: "O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?" (Safat, 102). Fjalë të frikshme. Ismaili ka pasur mundësi që të mos përgjigjej, apo të kërkonte prej babait të tij që të përmbahej nga një gjë e tillë dhe të shihte mundësinë për ndonjë zgjidhje tjetër. Mirëpo, Ismaili i vogël qe pajisur me forcën e imanit, prandaj nuk u hamend dhe nuk tregoi pavendosmëri për asnjë çast, por kërkoi nga i ati që ta kryente urdhrin e Allahut. Ismaili me këtë vendosmëri tregoi një shembull vetëflijimi të paparë për hir të asaj që është e shenjtë. Ai iu nënshtrua plotësisht vullnetit të Allahut dhe për t’i dhënë zemër të atit i tha fjalët ngushëlluese: "O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej durimtarëve" (Safat, 102). Ibrahimi a.s. mund të tentonte t’i bënte interpretime të ndryshme ëndrrës së tij, në mënyrë që t’i shmangej zbatimit të urdhrit duke e interpretuar urdhrin për "therjen" e Ismailit në kuptimin metaforik, se me të kërkohej mbytja e "egos" e jo e Ismailit, apo diçka e ngjashme. Por, ashtu sikurse i biri, edhe i ati iu nënshtrua urdhrit të Allahut pa kurrfarë luhatjeje. Kështu ai e vendosi dashurinë ndaj Allahut mbi dashurinë ndaj vetes, pejgamberinë mbi djalin e tij dhe bindjen ndaj Zotit mbi bindjen ndaj familjes. Përmes hedhjes së gurëve tek tri shtyllat gjatë haxhit, ne e gjuajmë iblisin e mallkuar që u mundua ta mashtronte Ibrahimin, që të mos e zbatonte urdhrin e Allahut. Por Ibrahimi e kishte lidhur zemrën me Zotin. Shkoi te vendi i prerjes. Këmbët i kishin ngrirë, por megjithatë eci dhe nuk u kthye. E vendosi Ismailin të shtrirë me fytyrë në tokë që të gjente forcë për zemrën e thyer dhe duart e shtangura. Thika me mëshirën e Allahut nuk e preu Ismailin. Atij iu dhurua një dash dhe Allahu i thirri duke i thënë: "O Ibrahim, ti tashmë e zbatove ëndrrën. Ne kështu i shpërblejmë të mirët!” (Safat, 104, 105). Urdhri nuk kishte për qëllim që të flijohet jeta e Ismailit, por ishte një këshillë që njerëzimi ta kuptojnë esencën e vërtetë të kësaj jete kalimtare. Ishte sinjalizim se dashuria ndaj Allahut është mbi çdo dashuri tjetër. Allahu në Kur’anin fisnik thotë: "Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote" (Kehf, 46). Këto dy gjëra e bëjnë jetën të bukur. Allahu ka kërkuar nga ne që të flijojmë pasurinë, gjënë e dytë. Kurse vetëm nga Ibrahimi a.s. ka kërkuar të flijonte gjënë e parë, fëmijën e tij. Gatishmëria e Ibrahimit për të flijuar djalin e tij, do të ishte një mësim për njerëzimin se për hir të Allahut duhet të sakrifikohet pasuria dhe çdo gjë në këtë botë. Nga ndodhia e Ibrahimit me Ismailin kuptojmë se kur ekziston vullneti për t’u kryer urdhri i Allahut, shpërblimi mund të arrihet edhe nëse nuk realizohet sakrifica. Allahu e lartësoi Ibrahimin në shkallën më të lartë të sakrificës pa e flijuar Ismailin. Ai e ngriti Ismailin në shkallën më të lartë të flijimit të vetes për Zotin, pa u realizuar një gjë e tillë, sepse veprat vlerësohen sipas qëllimit. Në ditët e sotme pjesa dërrmuese e njerëzve ia përkushtojnë jetën e tyre karrierës, pozitës, popullaritetit, famës dhe të mirave materiale. Lojalitetin e tyre ia dedikojnë familjes, popullit dhe atdheut. Shembulli i Ibrahimit dhe Ismailit a.s. na tregon se lojalitetin dhe besnikërinë absolute jemi të obliguar t’ia dedikojmë vetëm Zotit. Përmes bindjes sonë ndaj Zotit ne kuptojmë se çfarë pozicioni duhet të kemi ndaj familjes, atdheut, kombit apo të mirave të kësaj bote dhe assesi të kundërtën. Ngjarja e Ibrahimit dhe e Ismailit a.s. nuk flet për vuajtjen e njeriut, por na udhëzon në përsosjen e anës njerëzore, të liruarit nga burgu i instinktit dhe egoizmit drejt lartësimit dhe fisnikërimit të shpirtit. Mendësia sekulariste kërkon që besnikëria dhe lojaliteti të shprehet ndaj kombit, shtetit dhe familjes, kurse Islami na mëson se e gjithë jeta jonë duhet të jetë në shërbim të përmbushjes së obligimeve të Krijuesit. Allahu i madhërishëm ka dashur që Ibrahimi t’u mbajë leksion njerëzve. Ai na mësoi të sakrifikojmë jetën, pasurinë e gjithçka për hir të çështjeve të shenjta. Meqenëse Ibrahimi e dha këtë provim, sepse ai qe në gjendje të bënte atë që nuk është kërkuar prej asnjë njeriu tjetër, Allahu xh.sh. atë e quajti umet, i barabartë me një popull të tërë. Ai u quajt umet, sepse ai e dha provimin e gjithë umetit: "Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët" (Nahl, 120). Tek Ibrahimi, Ismaili dhe Haxherja kemi shembullin e një familjeje të nënshtruar ndaj urdhrave të Allahut. Ibrahimi duhet të jetë shembulli ynë për atë se si duhet ta edukojmë familjen në bindje ndaj Krijuesit, në situata të mira dhe të vështira. Fëmijëve tanë duhet t’ua rrëfejmë historinë e Ismailit, i cili me forcën e imanit të tij qe i gatshëm të flijonte veten. Ajni Sinani