Transmetuar më 10-08-2019, 12:23

Zëvendëskryeministri, Erion Braçe në një komunikim për mediat deklaroi se vijon aksioni antiinformalitet në terren për të goditur rastet abuzive në terren. Ai tha se në tregun e karburanteve janë konstatuar shkelje të rënda, ku diferenca e litrave të shitura dhe atyre të padeklaruara shkon në mijëra ton.

Numri dy i qeverisë ftoi të gjithë subjektet që të heqin dorë nga paligjshmëria, pasi në të kundërt, do të përballen me sanksione të forta, përfshirë edhe mbylljen e tyre.

“Dua t’i përcjell mbështetjen politike të gjithë trupës sonë tatimore, Policisë së Shtetit,  Inspektoriatit  dhe AKU të ndodhura prej ditësh në territor, përfshirë edhe në orët e vona për të vënë sigurinë dhe ligjin në secilin treg. Në tregun e karburanteve vazhdon të gëlojë paligjshmëri në aspektin fiskal. Administrata ka zbuluar shkelje të rënda ligjore në regjimin e kasave.

Në tregun e karburanteve ka evazion fiskal, dhe diferencat e litrave shkojnë në mijëra ton. Grupet e përbashkëta po verifikojnë çdo pompë. Dua të mbështes prokurorët në Elbasan dhe në Tiranë. Hetimet e tyre janë të rëndësishme për t’i dhënë fund kësaj vjedhje.  Paguani detyrimet fiskale dhe borxhet, sepse nuk do të shpëtoni së paguari nga detyrimet tuaja.

Ne kërkojmë vetëm kuponin tatimor dhe asgjë më shumë, kjo të jetë konform rregullave. Ne duam që ata të punojnë ligjërisht, të fitojnë ligjërisht dhe të paguajnë detyrimet ligjore e fiskale.”, tha Braçe.

Mw tej Braçe paralajmëroi bizneset që nuk paguajnë taksa se do të përballen me përgjegjësi ligjore. Ai u shpreh se administratorët e Havanës dhe Taivanit kanë kërcënuar inspektorët tatimorë duke i kujtuar dënimet për këto raste.

“Apel të gjithë administratorëve dhe pronarëve që kanë qenë në vëzhgim. Kërcënime ndaj nëpunësit të shtetit do të ndëshkohen pa mëshirë. I kërkoj administratorëve të Tajvanit dhe Havanës se çdo kërcënim i paraqitur ndaj inspektorëve që do të përballen me ligjin. Çdo gërmë kërcënuese do trajtohet si krim. Pavarësisht se presidenti nuk na e dha mundësinë për të vënë në zbatim kodin penal, ne do bëjmë aq sa na lejon ligji”, tha Braçe./b.l/noa.al/