Transmetuar më 09-08-2019, 06:42

Many years ago, gjatë një muzgu të trishtë po sorollatesha tek Sheshi Skënderbej. Atë mbrëmje, mua që s’kisha qënë kurrë në asnjë teatër, koncert, film, këmbët më shpunë brenda Pallatit të Kulturës plot me të rinj ku këndoheshin këngë si këngët e asaj kohe. Ç’ësht e vërteta, jo të gjitha. Ende frynte ai flladi që më vonë u quajt "erë liberalizmi". Duke dëgjuar të këndohej për partinë, puntorët, fitoret, furrat, uzinat, traktorët, kallot e duarve, djersën e kooperativës, befas nisi të këndojë një femër. U ndodha fare afër saj. Që në çastin e parë, tingullin e parë, fjalën e parë, u kuptua se ishte krejt ndryshe. Tepër larg partisë, furrave, puntorve, fabrikave, kallove, fitoreve. Kishte tjetër energji, tjetër rrezatim, tjetër tonus, tjetër shije, tjetër vibracion. E kënduara e saj ishte një miks drithërues i talentit, butësisë, ëmbëlsisë njerëzore, seriozitetit, me një nervozizëm të dukshëm, një shqetsim të brendshëm, një revoltë të papërmbajtur. Ishta diçka e pa provuar kurrë më parë. Diçka jo e atyshme, e këtushme. Diçka e përtejme, njëkohësisht tepër e largët dhe tepër e afërt, diçka prej Udstoku, dhe më tepër. Nuk më kujtohet kënga që këndoi. Më kujtohet diçka tjetër. Diçka që më mbeti përgjithmonë në kujtesë. Në atë kohë, mirkuptimi i këngëtarëve me publikun ishte i shtirur ose ndodhte tepër rrallë. Ajo që nisi të këndojë realizoi në çast një mirkuptim të plotë me publikun. I elektrizoi menjëherë të gjithë. Edhe atë për të cilin kisha qënë i bindur se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhte kurrë, mua. Kaluan çastet e para, minuta e parë, e dytë, këngëtarja po bënte diçka të pabesueshme, diçka të papërfytyrueshme. Po konsumonte herezinë më të madhe kundër diktatorit dhe partisë, tradhëtinë më të madhe ndaj proletarëve, traktorave, arave, furrave, fabrikave, dhe sidomos, duke sfiduar syçelësinë e tij; pabesinë më të përbindëshme ndaj Sigurimit; Duke kënduar po lëvizte. Po lëvizte gjymtyrët, si dhe, e pabesueshme por e vërtetë, belin ! Mes bukurisë së zërit, ritmit, lëvizjeve të saj, çfarë ndodhi më pas, lus lexusin që ka dëshirë ta dijë, nëse ka probleme me zemrën, leximin e këtij shkrimi ta ndali këtë çast. Të tjerët, më pak të rrezikuar nga ndonjë infarkt, marramendje apo damlla, mund ta vazhdojnë leximin, por patjetër të kapur pas ndonjë sendi për të mos u rrëzuar. Një gotë me ujë pranë për çdo eventualitet, është gjithashtu e rekomanduar. Kur s’kishin kaluar as tre minuta, dikush me pamje tejet të merakosur, ja behu nga turma drejt këngëtares. Pashë dhe dëgjova gjithçka. I frikshëm dhe kërcënues, njeriu i ardhur befas nga turma, duke i treguar gjymtyrët dhe belin, i tha; "Kujdes-kujdes. Jo-jo kështu. Mos lëviz !". Këngëtarja ngriu ! Në fytyrën e saj pashë një llahtarë që s’e kam parë në asnjë film horrori. Dola menjëherë jashtë duke mu marrë mentë. Volla mbështetur rrëzë njërës prej kolonave. Ika. Lashë koncertet e tyre. Vajta tek qetësitë e mia; librat, leximet, RAI, Jash Gavronski, Paolo Testa, Roberto Gervaso, Vittorio Gassman, Maria Laura Giulietti. Nuk u interesova të di çfarë ndodhi më pas me këngëtaren që ja ngrinë gjymtyrët dhe ja therën këngën. Prej atëhere nuk i lashë më kurrë këmbët të më çonin në asnjë koncert. Shumë më vonë, pasi e kishin degdisur s’di se ku, mësova se këngëtarja e talentit të madh, e zërit kumbues, energjisë, refuzimit, përbuzjes, revoltës, gjymtyrëve lëvizëse, quhej Justina Aliaj. Vrasja dhe mosgroposja e bënë Justinën të pavdekshme. Thuhej se Justina Aliaj ishte si Ornella Vanoni ndërsa Vaçe Zela si Mina. Por s’do ment se dy tonat që këndonin ku të vrisnin e s’të groposnin, ishin më të mira se dy italianet që mund të bënin ç’të donin. Më mbeti në mendje njeriu që u shkëput nga turma për ta urdhëruar Justinën të mos lëvizte. Kush të kish’ qënë vallë ?! Ndonjë sigurimist për ta bërë të vuante sa më tepër, ishte më se e besueshme. Por ishte gjithaq e besueshme të kishte qënë ndonjë dashamir, i cili, përmes një gjesti gjoja prej vigjilenti, vërtet e vrau, por, që Justina gjithsesi të mbetej, nuk e groposi. Kur shqiptarët gdhiheshin e ngryseshin jetevdekjepërqafuar mund të ishte edhe njëri edhe tjetri. S’ka problem se e tundin portretin e diktatorit, lidhin shallin e kuq, Historinë e shkruajnë si duan. Qielli i kaltër do mbetet. Toka do vazhdojë të rrotullohet. Stinët do ndërrohen. Dielli do lindi e do ngrohi. Shiu do bjeri e do lagi. Era do fryjë. Gjethet do rrëzohen. Justina këndoi, këndon, e do këndojë.