Transmetuar më 03-08-2019, 19:36

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër falënderimi Kryetares së Parlamentit të Serbisë, Maja Gojković me rastin e krijimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Serbisë.

“Me kënaqësi mora lajmin për krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Serbisë.

“Gjej rastin t’ju falënderoj për këtë iniciativë dhe t’i uroj Grupit të Miqësisë një veprimtari të frytshme, në përmbushjen e misionit të tij.”

“Dëshiroj gjithashtu t’ju informoj se në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë funksionon prej vitesh Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Serbi, i cili ka kontribuuar në zgjerimin e kontakteve dhe të bashkëpunimit ndërparlamentar”, theksoi Ruçi.

Ai shtoi se “Grupet Parlamentare të Miqësisë përbëjnë një mundësi më shumë për intensifikimin e marrëdhënieve midis institucioneve të të dy vendeve tona dhe kontakteve e miqësisë midis qytetarëve që ne përfaqësojmë.”

“Shpreh bindjen time se bashkëpunimi vizionar dhe i sinqertë midis Shqipërisë dhe Serbisë do të shërbejë si një faktor i rëndësishëm për prosperitetin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.”, shkruhet në letrën e falënderimit të Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi. /a.m/noa.al/