Transmetuar më 02-08-2019, 14:25

Zv kryeministri Erion Braçe së bashku me drejtoreshën e tatimeve inspektuan një nga pikat e karburantit në zonën e Brrylit në kuadër të planit operacional të prezantuar nga tatimet.

Sipas Braçes vendosja e kompanive të karburanteve në shenjestrën e administratës tatimore ka ardhur pas një investigimi të kryer nga hetimi tatimor gjatë muajve të fundit, ku u vërejt një evazion i lartë fiskal në këtë sektor.

Zv.kryeministri kishte një apel për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin në tregun e karburanteve por jo vetëm.

“Të jenë në rregull me ligjin, të mos i bien telefonit të askujt nëse nuk janë në rregull me ligjin. Nuk i hapet telefoni, mund ti hapet telefoni por nuk e ndihmon kërkush deri në momentin që do të kthehet në ligjshmëri.” vijoi më tej Braçe.

Erion Brace bëri me dije se një sasi e konsiderushme karburanti i është bllokuar një kompanie të madhe në vend. Zv kryeministri nuk përmendi emër por tha se do të ketë zero tolerencë.

“Vetëm 8 ditëve të shkuara një prej kompanive më të mëdha të karburanteve  në vend i është bllokuar një sasi e konsiderueshme xhetfyelli që ishte jashtë parametrave të squfurit që përmbante. Kjo histori ka filluar dhe nuk mbaron, do rri lart dhe nuk do lëvizi nga aty ku është.” tha Braçe.