Transmetuar më 01-08-2019, 00:56
Ylli Dylgjeri

Uaaaa ç’po na shohin sytë me Rilindjen tonë të nderuar! Përveç shtetit të betonit, korrupsionit dhe PPP-ve, tani Rilindja po na zhvidhos shtetin laik, e po na e kthen jo thjesht në shtet fetar, por në shtet kulti.

Pas ministrit këmbëputhës të gurusë nga India, pas një klase të dalë nga xhepi i Fondacionit Soros, dje në Krye të Këshillit Bashkiak të Tiranes na "zgjidhet" Pastori Toni Gogu.

Tashmë politika 99-she propozon evangjelistin Gogu, juristin Toni, Drejtorin Guru në drejtimin e këshillit bashkiak të një qyteti që di të falet në kishë katolike e ortodokse, xhami e teqe.

Këtë miksazh të çuditshëm vetëm Rilindja mund ta krijojë në kohët tona. CV-ja e tij e derisotme tregon për akrobacitë nga kisha evangjeliste në administratën qëndrore, e më pas në atë lokale, por tepër e qëndrueshme me çiftin Fullani, si kur shërbeu pranë Shkollës së Magjistraturës me Drejtoreshë Arjanën, ashtu edhe drejtor juridik e më pas drejtor i Agjencisë së Sigurimit te Depozitave me Guvernator Ardianin.

Madje gojët e liga thonë se shefave nga pastori u vjen jo vetëm bekimi i Perëndise por dhe mallkimi i burgut dhe i drejtësisë.

Kaq mjafton për të thëne: Hajde dhe besoju këtyre lloj fetaristëve në Shqipëri si përfaqësues e mëshirues të Zotit në Tokë.

Një ushtar politik si Gogu mjafton t’ja kërkonte partia detyrën (jo kisha), do të pranonte jo vetëm Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës por edhe shkëmbimin me pastorin amerikan në burgun e Turqisë, të izoluar nga Qeveria Turke, në emër të çelnikosjes dhe bekimit të miqësisë së shefit Edi me Sulltanin Erdogan …

Koha e Rilindasve përveç kanabizimit të bujqësisë, na kujtoi sërisht parrullën marksiste "Feja opium për popullin". Por ateistët e shkrete ç’të bëjnë tani…? Gjithsesi, shokut Erjon Velija i urojmë: Paç fatin e Fullanit!

Shënim i redaksisë: Qëndrimet e autorit janë personale