Transmetuar më 31-07-2019, 17:38

Dy lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë sërish në Korçë.

Në njoftimin të saj Ministria e Mbrojtjes konfirmoi rënien e tërmetit, duke iu referuar Institutitit të  Gjeoshkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit.

IGJEUM  sqaroi tërmeti i rënë është me magnitudë 4.7 shkalla rihter dhe me epiqendër 3.4 km, në jugperëndim të Dardhës, Korçës. Ndërkohë më herët ra një tërmet tjetër me magnitudë 4.5 ballë.

Nga raportimet e strukturave të Emergjencave Civile të Njësive Vendore deri tani nuk ka dëmtime materiale dhe as në njerëz. Por paniku i njerëzve ka qenë i madh, pasi kjo zonë u godit dy muaj më parë.

Tërmetet e sotme ndodhin në të njëjtën zonë, ku dy muaj më parë pati lëkundje të forta sizmike në Floq e në Qafzez, nga ku u shkatërruan tërësisht më shumë se 100 banesa dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan pjesërisht.

Lëkundjet e sotme si për ironi vijnë pas debateve e përplasjeve politike, pasi Presidenti Ilir Meta u kërkoi institucioneve të sigurisë përmes një letre dy ditë më parë, nëse ishin marrë masa konkrete. Lëkundjet e tërmetit në Ballkan, sqaroi Meta, ishin paralajmëruar nga sizmologët grekë, aty ku tërmeti tronditi pak ditë më parë edhe Athinën.  /a.m.noa.al/