Transmetuar më 28-07-2019, 09:47

Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar edhe një herë dyshen Rama-Veliaj për atë që ai e quan aferë të pastër për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave.

Lulzim Basha shkruan në Facebook se e gjithë kjo është një përpjekje për të pastruar paratë e pista të drogës.

“Afera Rama-Veliaj e Kullave 200 milionë Euro te Teatri Kombëtar nuk ka të bëjë fare me Teatrin por vetëm me ndërtimin e kullave 200 milionë euro dhe pastrimin e parave të drogës. Debati për Teatrin është loja për të fshehur grabitjen 200 milionë euro”, shkruan Basha.

Lideri demokrat sjell në vëmendje edhe një deklaratë të tij në 28 korrik të vitit të kaluar.

“Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë.

Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës.

Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri”, përfudnon Basha i cili shprehet i lumtur që nënshkroi kontratën brenda ambienteve të Teatrit Kombëtar. /k.k/noa.al/