Transmetuar më 27-07-2019, 11:26

Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Partnerët në luftë kundër krimit të organizuar vuri në pranga në Hollandë një prej pjestarëve të grupit kriminal "Bajri".

Po në kuadër të bashkëpunimit Interpol Tirana ekstradoi nga Hollanda 39 vjeçarin nga Shkodra.

Nga Specialistët e Zyrës Qëndrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Amsterdami/Hollandë drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Behar Bajri 39 vjeç, lindur  në Shkodër.

Bajri, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në vitin 2018, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg”, për veprat penale "Vrasja me dashje në bashkëpunim", "Trafikimi i armëve dhe municionit", "Organizimi i llotarive të palejuara", "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie e pasurisë", kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit kriminal, "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal" parashikuar nga nenet 76, 22, 25, 278/2, 197, 25,109/b, 333/a, 334 të Kodit Penal.

Shtetasi Behar Bajri alias Behar Rustemi., është anëtar i grupit kriminal “Bajri”, i cili në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal janë autorë të një sërë veprash penale.

Më 20 qershor 2002 Behar Bajri vrau 15-vjeçaren me të cilën  ishte fejuar prej tre muajsh. Madje pas kësaj ngjarje Behar Bajri detyroi të largohet jashtë shtetit edhe familjen e Fabiolës. Ai i kërcënoi se do t’i zhdukte në rast se ata nuk largoheshin vetë nga qyteti i Shkodrës.

Vrasja e Fabiolës u zbulua për shkak të pozicionit të plumbit që kishte marrë poshtë parakrahut. Prova e fortë që fundosi Bajrat ishte pistoleta, e cila rezultoi se ishte e njëjta që ishte përdorur edhe për vrasjen e Arben Tuzit. Me këtë të fundit familja Bajri kishte konflikte të vazhdueshme, të cilat kishin shkuar deri në përleshje me armë apo dhe me vrasje.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Hagë/Hollandë, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë./b.l/noa.al/