Transmetuar më 25-07-2019, 17:23

Numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili mban edhe postin e Ministrit të Jashtëm ka reaguar lidhur me arrestimin e një ish-ushtari të UÇK-së nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pas fletëarrestit lëshuar nga Serbia.

“Përkundër faktit që ne kemi vazhduar angazhimin me autoritetet e Shkupit për të siguruar lirimin e Timor Morinës, kjo ende nuk ka ndodhur. Më vjen keq që gjykata e Maqedonisë veriore ka dhënë një urdhër për para-burgim për z. Morina bazuar në një urdhër arresti politik të lëshuar nga Serbia”, thotë Pacolli.

Behgjet Pacolli i bën thirrje Shkupit të veprojë si vendet e tjera të Europës, për lirimin e tij.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për lirimin e tij dhe t’i bëjmë thirrje Shkupit të veprojë si të gjitha vendet në Evropë që i kanë hedhur poshtë këto urdhra politik për arrest të lëshuar nga Beogradi.”

“Për një gjë jam i sigurt, që ne nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi.”

“Kjo është vijë e kuqe për Kosovën”, ishte reagimi i Behgjet Pacollit./a.m/noa.al/