Transmetuar më 25-07-2019, 13:24

Kukësi pas shkarkimit të Ernest Gjokës ka prezantuar trajnerin e ri.

Trajneri i ri i skuadrës nënkampione të Shqipërisë është  Shpëtim Duro.

Ai firmosi sot një kontratë 1-vjeçare dhe menjëherë pas prezantimit, shpalosi objektivat.

“Puna e trajnerit është përgjegjësi në çdo skuadër. Edhe marrja e drejtimit të Kukësit është përgjegjësi, edhe më e madhe, sepse Kukësi ka qenë protagonist me Skënderbeun dhe Partizanin në dekadën e fundit, duke fituar edhe trofe. Është një kënaqësi të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin për besimin. Pozitive është që është fillimi i sezonit, ndaj kemi kohë”, theksoi ai.

“Është hera e parë që bashkëpunoj me Gjicin, është president ambicioz, që ka fituar shumë. Nga jashtë e kam parë që skuadrat e ndërtuara këtu kanë qenë gjithnjë të forta, shpresojmë të bëjmë më të mirën”, shtoi ish-trajneri i Flamurtarit, Skënderbeut, Besës dhe Partizanit, në Shqipëri.

Ai tregoi edhe një sekret nga Kukësi, sapo mori detyrën e re.

“Ofertën e parë që Gjici i ka bërë një trajneri shqiptar në Superiore ma ka bërë mua, por zgjodha rrugë tjetër në atë kohë, pas periudhës që drejtova Skënderbeun. Ishte Kukës tjetër në atë kohë, natyrisht. Me Nexhipin me bashkëpunuar mirë, te Partizani e Shkëndija, ka eksperiencë të madhe në futboll dhe ndihem i vlerësuar nëse ai ka ndikuar në zgjedhjen time.”

Ai tha se kam punuar te Partizani, por për zgjedhjet dhe rivalitetin në të ardhmen shtoi “jemi profesionistë”, por, – “nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Kukësin të fitojë.”

Lidhur me dënimin 10-vjeçar të skuadrës korçare, që mbeti në fuqi edhe nga CAS, Duro u shpreh:

“Për Skënderbeun më ka ardhur shumë keq, sepse kam qenë aty. Partizani është përforcuar, të shohim më tej ekipet e tjera.”

Trajneri i ri foli edhe për merkaton e deritanishme të Kukësit: Gavazaj e njohim, është përforcim shumë cilësor. Daku është cilësor, i ri, por me shumë të ardhme”, theksoi ai, ndërsa “Futbollisti Valdet Rama është lojtarë shumë cilësor, me eksperiencë, që vlen edhe për kombëtaren. Klubi po flet me të, të shohim.”

Drejtori sportiv Nderim Nexhipi, pas prezantimit të trajneri, shprehu nevojën e dy përforcimeve të rëndësishme te Kukësi, për objektivin që i ka vënë vetes skuadra verilindore: titullin kampion.

Dy lojtarë të Kombëtares, Andi Lila dhe Bajram Jashanica, janë në objektivat e Kukësit, ndërkohë  Nexhipi bëri një ryzeme të gjendjes aktuale, pas prezantimit të trajnerit.

TRAJNERI I RI – “Faleminderit që jeni këtu, në prezantimin e trajnerit të ri. Të gjithë e njihni Shpëtim Duron dhe eksperiencën e tij në futboll. I urojmë mirëseardhjen, urojmë të bëjmë me të mirën, në klubin që synon titullin dhe kupën. Kontrata është 1-vjeçare”.

RAMA – “Valdet Rama është më pushime. Është ende nën kontratë, ka ikur përkohësisht dhe e presim të kthehet. Jemi duke biseduar”.

KONTRATAT – “Musolli ka pasur opsion rinovimi, nuk largohet. Shameti ka munguar gjatë për dëmtim dhe sapo është kthyer. Deri në fund të javës do të vendosen shumë gjëra për kontrata në skadencë. Ikonat e këtij klubi do të qëndrojnë”.

LEONIT ABAZI – “Këto dy ditë kemi humbur Rrumbullakut. E donim në ekip, por ai kërkon të provojë diçka të re jashtë vendit. Për emrat e tjerë në ditët e ardhshme do të shohim. Rolet dihen pak a shumë, nuk do ketë shumë ndërhyrje. Me trajnerin e ri do ulemi e diskutojmë për të ardhmen, pasi është ende herët që ta pyesni për skuadrën”.

KORDEIRO – “Çdo lojtar që përforcon një rival nuk është një asist, në thonjëza. Nuk arritëm të rinovonim, por kemi marrë Gavazaj dhe pastaj Dakun në sulm. Me 2-3 afrime do jemi gati të rivalizojmë për titull”.

PORTA – “Për momentin kemi 3 portierë. Me Frashërin do ulemi të flasim për rinovimin e mundshëm”.

NDRYSHIMET E SHUMTA NË STOL – “Asnjëherë nuk është e lehtë, as për presidentin, por shpresojmë të kemi sukses”./a.m/noa.al/