Transmetuar më 23-07-2019, 08:40

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se të martën do të udhëtojë për në Hagë. “Po, nesër udhëtoj për në Hagë”, ka thënë Haradinaj.

Të premten e javës së kaluar, Haradinaj ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar. Ai do të merret në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.

Kjo ishte edhe arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit, pasi ai deklaroi se nuk dëshiron që të shkojë në cilësinë e shefit të Qeverisë së Kosovës.

“Kur shkon kryetari i Qeverisë, e bartë nocionin, rrezikohet nocioni i sovranitetit. Krijojmë një precedent të keq nëse shefi i Qeverisë së shtetit dorëzohet diku, unë nuk ia kam bërë këtë Kosovës.

Nuk është se unë iu iki përgjegjësive, por ‘skam dashur ta çoj Kosovën para hetuesve. Më mirë të ikë Ramushi si person”, ka thënë Haradinaj, për T7.