Deputeti kapet nën shoqëri me të akuzuarit për vrasje dhe trafik droge
Transmetuar më 22-07-2019, 21:02

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj këto ditë është parë nën shoqërinë e një njeriu të akuzuar e dënuar për vrasje e trafik droge, Naser Kelmendi.

Media kosovare kanë siguruar një foto,  teksa deputeti i  Kuvendit të Kosovës shihet nën shoqërinë e Kelmendit, në një nga lokalet e Pejës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt të vitit të kaluar, e kishte dënuar me gjashtë vjet burg Naser Kelmendin, të akuzuarin për vrasje të rëndë dhe vepra që lidhen me narkotikë.

Mirëpo, Kelmendi më 2 gusht të vitit 2018, ishte  lëshuar në liri pasi  Gjykata e Apelit të Kosovës kishte  vendosur për rigjykimin për pikën e aktakuzës në të cilën ai ishte shpallur fajtor me vendim të shkallës së parë.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e shpalli në atë kohë Naser Kelmendin fajtor në pika 8 të aktakuzës.

Ai akuzohej për shitjen e 25 kilogramëve të substancës narkotike, heroinës së bardhë.

Por Kelmendi u lirua nga akuza për krim të organizuar, si dhe për organizimin e vrasjes së Ramiz Delaliq apo vrasjes së Delaliq, që thuhet se është kryer në vitin 2007 në Sarajevë./a.m/noa.al/

Loading...
Loading...