Transmetuar më 21-07-2019, 14:29

Nuk e kishim dëgjuar më parë, por muajt e fundit po flitet për shumë persona në vendin tonë që janë prekur nga gripi i syrit.

Është problematik, pasi përveç se sjell probleme tek ai që është prekur, por është edhe ngjitës.

Mjekët thonë se ky virus qëndron në ambiente të pista, ndaj duhet të keni kujdes në vendet ku qëndroni.

Shenjat janë të tilla si skuqje e të bardhës së syrit, enjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës, lotim i vazhdueshëm i shtuar, shqetësim nga drita, ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin, kruarje, irritim apo djegie e syrit, krusta në kapakët e syrit apo qerpikë, personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mire.

Mjekët apelojnë që të keni kujdes dhe disa nga elementët që janë në dorën tuaj për të parandaluar gripin e syrit janë:

Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun, dhe mësoni fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

Kontrolloni nëse keni dikë me këtë sëmundje, lani duart menjëherë pas kontaktit me të, dezinfektoni me produkte që përmbajnë klor sipërfaqet e prekura prej tij apo lani menjëherë me ujë të nxehtë dhe dezinfektantë sendet apo veshjet e prekura prej tij.

Mos prekni sytë dhe mos i fërkoni ato kur jeni të sëmurë me këtë infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjendjen dhe e përhap atë edhe në syrin tjetër.

Mënjanoni përdorimin e sendeve personale si peshqirët, këllëfët e jastëkëve apo çarçafët dhe batanijet, produktet kozmetike sidomos ato që përdoren për sytë, syzet etj. /k.k/noa.al/