Transmetuar më 20-07-2019, 20:23

Deputetja Rudina Hajdari ka folur për Zërin e Amerikës për situatën në vend dhe zhvillimet e fundit. Ajo përshkroi një situatë të vështirë, në krizë duke theksuar se duhet të gjenden zgjidhjet e duhura.

Hajdari kritikoi opozitën për vendimin për të dalë jashtë institucioneve dhe qeverinë e akuzoi se është jo demokratike.

“Situata në Shqipëri është shumë e vështirë. Kemi 6 muaj që jetojmë në një krizë politike. Shumë shpejt duhet të gjejmë zgjidhjet e duhura, për ta futur vendin në shinat e duhura për hapjen e negociatave për ngritjen e SPAK etj. Kujtojmë se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme për shqiptarët.

Më 11 mars të 2019 vendosa të qëndroj në parlament për një arsye, sepse mendova që vendimi i PD dhe opozitës ishte antidemokratik dhe anti shqiptar sepse do të sillte një krizë. Shqiptarët nuk pranuan një revolucion i cili nuk solli gjë tjetër vetëm një shkatërrim të imazhit të saj. Qeveria ndodhet jashtë horizontit demokratik, ka 6 vjet që dështon dhe me rekorde të larta korrupsioni. Gabimi i opozitës është që zgjodhi një rrugë jashtë institucioneve. Unë nuk mund të shkoj kundër rrymës perëndimore”, deklaroi Hajdari.

E pyetur se cila do jetë e ardhmja e saj, apo nëse ka menduar të krijojë një parti të re, Hajdari tha se nuk bën kompromis me parimet e saj, duke ua lënë në dorë shqiptarëve të ardhmen.

“Mendoj se për të ardhmen time politike patjetër do vendosin shqiptarët por është e rëndësishme që të marr vendimet e dhurua e të mos bëj kompromis me parimet e mia. Ndodhemi në një situatë të vështirë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re politike”, tha ajo.

Sa i përket mbështetjes së opozitës së re në parlament ndaj shumicës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Hajdari tha se zoti Meta zgjodhi një rrugë jolegjitime për ‘i dhënë zgjidhje krizës.

“Zoti Meta zgjodhi një rrugë jolegjitime për t’i dhënë zgjidhje krizës. Nuk zbatoi parimet kushtetuese. Ai ka shkelur disa pika të Kushtetutës së Shqipërisë. Ka premtuar një zgjidhje që nuk zbatohet dot, nuk gjen rrugë institucionale. Por do kemi një gjykatë kushtetuese që do e gjykojë vendimin e Presidentit. Data e re nuk solli një zgjidhje konkrete”, u shpreh ajo.

Lidhur me ndikimin e situatës politike për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, Hajdari tha se ka ndikuar në mënyrë serioze. “Absolutisht, 6 muajt e fundit kanë ndikuar në mënyrë serioze për hapjen e negociatave. Gjithsesi kemi shpresë në tetor. Uroj që kjo rrugë të mos mbyllet për shqiptarët pasi rrezikojmë shumë. Përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë, ajo nuk ka bërë detyrat e saj”, tha Hajdari.