Transmetuar më 19-07-2019, 23:20

Nëse katër ekipet shqiptare, pjesëmarrëse në Kupat e Europës dështuan që në raundin e parë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me ekipet e tjera evropiane apo të vendeve fqinje në Ballkan, të radhët e të cilave aktivizohen futbollistë shqiptarë.

Kështu, futbollisti premtues i sulmit kuqezi Endri Çekiçi ishte protagonist me Olimpija Ljubjanën në Europa League.

Mesfushori shqiptar realizoi golin e parë në fitoren 2-0 në fushën e Rigas.

Një sukses i rëndësishëm i Olimpijas që e humbi ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-2. Në turin e dytë të Europa Ligës skuadra e Endri Çekiçit do të përballet me ekipin turk të Malatyasporin.

Endri Çekiçi, 22-vjeç, lindi në Pogradec dhe karrierën e nisi me Teutën. Ai kaloi për një periudhë kohe në në Kroaci, për t’u bashkuar këtë vit me  Olimpija Ljubljana në Slloveni.

Me paraqitjet e fundit, Çekiçi, i cili ka qenë pjesë e Kombëtares U-21, teksa po shfaqet gjithnjë e më premtues, shpreson një vend në Kombëtaren e parë, çka është edhe ëndrra e tij.