Transmetuar më 19-07-2019, 22:29

Kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi komentet e Presidentit të SHBA, Donald Trump, për ligjvënëset demokrate me ngjyrë.

Merkel tha se komentet e tij bien ndesh me atë që ajo e konsideron “forca e Amerikës”.

Përmes një konference për shtyp kancelarja e pyetur nëse sheh një bazë vlerash të përbashkëta me Presidentin Trump, pas komenteve të tij se katër gratë ligjvënëse duhet “të kthehen” në vendet e tyre nëse nuk e duan Amerikën, u shpreh:

“Njerëzit me kombësi shumë të ndryshme kanë kontribuar në forcën e popullit amerikan, kështu që këto janë komente që bien ndesh me këtë përshtypje të fortë që kam. Është diçka që bie ndesh me forcën e Amerikës”.

Tre prej atyre që kishte akuzuar Trump kanë lindur në Amerikë, por të katërta ato janë shtetase amerikane.

Merkel tha se distancohet nga komentet dhe “ndien solidaritet me gratë që u sulmuan”.

Ndërkohë në lidhje me çështjen Brexit, Kancelarja Merkel tha se beson që Britania do t’a “gjejë rrugën e saj” nën një kryeministër të ri.” /a.m/noa.al/