Ditë zie për futbollin shqiptar. Fatmir Frashëri, legjenda e klubit “Tirana” është ndarë sot nga jeta në moshën 78 vjeçare, ndërsa nesër do të mbahen homazhet për nder të tij, para se të përcillet për në banesën e fundit.
I dha aq shumë futbollit shqiptar, si futbollist, trajner dhe drejtues i Tiranës, saqë edhe rivali i përjetshëm bardheblu, Partizani, përmes një mesazhi ngushëllues për familjen ka shprehur vlerësimin dhe admirimin për largimin e ikonës së futbollit tonë. Tirana në kohën e Fatmir Frashërit rivalizonte me Partizanit e Panajot Panos, në atë që konsiderohet epoka e lavdishme e futbollit tonë.
Mes qindra e mijëra mesazheve ngushëlluese veçohen, Tirana, klubi ku ai kaloi tërë karrierën dhe mesazhi që përcolli për sportdashësit e admiruesit e shumtë të futbollit edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Mesazhi i Armand Duka, presidenti i FSHF-së:
“Të dashur miq,
Me shumë hidhërim , po ndaj me ju një lajm shumë të hidhur. Një emër i madh i botës së futbollit, ish-mbrojtësi i Kombëtares dhe Tiranës, ish-Presidenti Klubit Tirana, Fatmir Frashëri, është ndarë nga jeta sot.
Ky është një moment i vështirë për të gjithë ne, familjen e Fatmirit, miqtë dhe të dashurit. Unë personalisht sot kam humbur mikun tim Fatmirin, por dhe mikun shumë të mirë të babait tim. Legjenda ka ndërruar jetë por vepra e tij është skalitur në kujtesën e të gjithëve ne, gjithmonë do ta kujtojmë si një nga të urtët e shoqërisë shqiptare.
I shpreh ngushëllimet e mija dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit familjes, miqve e të afërmëve të Fatmir Frashërit.
Mesazhi i klubit Partizani:
“Me keqardhje të thellë mësuam sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 78 vjeçare të ikonës së futbollit shqiptar Fatmir Frashëri nga një sëmundje e rëndë. Frashëri një prej kolosëve të futbollit tonë ishte emblemë e klubit të Tiranës si lojtar në vitet 60 – 70 duke fituar 4 Tituj Kampion të Shqipërisë. Si trajner ai drejtoi me mjaft sukses ekipet e Tiranës, Besës, Naftëtarit dhe Dinamos. Gjithashtu Frashëri për 3 vite ishte pjesë e Partizanit, skuadër me të cilën fitoi edhe 2 tituj të tjerë Kampion të Shqipërisë në sezonet 1962 – 1963 dhe 1963 – 1964. Frashëri mbajti veshur për 12 ndeshje edhe fanellën e ekipit tonë përfaqësues. Njëkohësisht ish mbrojtësi brilant është vlerësuar me titujt "Mjeshtër i Madh" dhe Mjeshtër i Merituar.”
“Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe.”
“U prehsh në paqe ikona Fatmir Frashëri!”
Mesazhi i klubit Tirana:
“U prehsh ne paqe Fatmir Frashëri
Është ndarë sot nga jeta Fatmir Frashëri, një nga ikonat e familjes bardheblu. Ish futbollist, trajner dhe pjese e rëndësishme e historisë së klubit.
Klubi i Futbollit Tirana i gjendet prane familjes Frasheri ne kete moment te veshtire.
Homazhet do te mbahen neser, nga ora 12:30 – 14:00 prane stadiumit “Selman Stermasi”.
“Lamtumire kampion!”/a.m/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd