Transmetuar më 19-07-2019, 14:38

Busti i Heroit tonë Kombëtar, simboli i qëndresës për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve shqiptare si dhe i triumfit heroik ndaj pushtuesit më të fuqishëm të kohës, gjenden kudo. Busti i tij nuk gjendet vetëm në Tiranë, Krujë, Prishtinë, Shkup, Romë, Vjenë dhe SHBA, por edhe në vende të tjera, kudo ku jetojnë shqiptarë.

Figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u përkujtua me dashuri e nostalgji edhe nga komuniteti shqiptar në Karakurt të Ukrainës.

Gjatë këtij manifestimi përkujtimor, komuniteti shqiptar në Ukrainë, e vendosi bustin e heroit kombëtar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Karakurt, një fshat i Ukrainës banuar nga shqiptarët prej më se 200 vitesh.

Ka ende debate mbi faktin sesi janë vendosur aty shqiptarët.

Gjithsesi, busti i Gjergj Kastriotit është vendosur me plot krenari në qendër të fshatit nga shqiptarët e Karakurtit.

Ata do të kenë tashmë mundësinë të identifikohen me heroin e tyre kombëtar dhe pse janë prej shumë shekujsh shumë larg vendit amë.

Iniciativa e ndërmarrë nga një grup shqiptarësh me mbështetjen e Postës Shqiptare ka realizuar këtë kërkesë të kahershme të mbi 2500 shqiptarëve që jetojnë në këtë vend.

Besohet se banorët  e kësaj zone janë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, kryesisht nga rrethinat e Korçës.

Duhet theksuar se pjesa më e madhe e tyre vijojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe, çka tregon sesa e vështirë është për shqiptarët të humbin identitetin e tyre kombëtar.

Dhe kjo ndoshta është pasuria më e madhe e kombin tonë.

Kryetarja e Bashkisë së zonës, Elena Zheceva, në emër të gjithë banorëve vlerësoi vendosjen e bustit të Gjergj Kastriotit në qendër të fshatit dhe nënvizoi rëndësinë që kjo vepër ka në forcimin e unitetit mes tyre dhe shtetit amë.