Transmetuar më 18-07-2019, 15:42

Në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë lidhur me votimet e 30 qershorit.

Duke folur për mediat, ajo tha se bazuar në Kushtetutë dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt, konstatimin antikushtetues të zgjedhjeve të 30 qershorit si dhe objekti i dytë është verifikimi i kushtetutshmërisë së veprimtarisë së Bindjes Demokratike lidhur me regjistrimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Dekreti i Presidentit ka qenë dhe është një dekret që duhet të merret në konsideratë, ndaj shpresojmë shumë që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese të jetë në punë dhe funksionojë të mund të fillojë gjykimin e një çështje me rëndësi, ndoshta e para në llojin e saj për tu trajtuar me përparësi. Shpresojmë që kjo gjykatë të ngrihet sa më parë dhe Edi Rama të mos i fusë duart”, u shpreh Ademi.

Ajo shtoi se kryebashkiakët demokratë në detyrë po veprojnë në mënyrë institucionale, duke bërë atë që kanë gjykuar se është e drejtë, duke iu drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe hetimit.

“Kjo është rruga që do të ndjekim dhe që po ndjekim. Shpresojmë që organet e drejtësisë do të funksionojë dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur, duke mos iu nënshtruar presionit politik”, deklaroi Ademi. /a.y/noa.al