Transmetuar më 18-07-2019, 11:01

Finalizohet një tjetër operacion policor i koduar “Velçë”, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Policia e Vlorës njoftoi se është “sekuestruar një armë zjarri, një sasi e vogël lëndë narkotike, si dhe asgjësohen disa fidanë narkotikë të kultivuar në territorin përreth banesës së 54-vjeçarit, i cili është vënë në pranga.”

Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Strukturat e Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë DVP Vlorë se në fshatin Velçë, një shtetas kishte kultivuar fidanë në territorin e banesës së tij, menjëherë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar "Velçë", si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G.J., 54 vjeç.

Po ashtu policia konfirmoi se “Nga kontrolli i banesës dhe këqyrja e territorit përreth, shërbimet e policisë kanë konstatuar të mbjella disa fidanë narkotikë, si dhe në vijim të kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.5 kilogramë cannabis sativa dhe një armë zjarri automatik model 56.”

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”./a.m/noa.al/