Transmetuar më 18-07-2019, 09:17

Policia e Tiranës prangosi dy persona, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale.

Njëri prej të arrestuarve dyshohet si kreu i një grupi të strukturuar kriminal.

Policia tha se dy personave iu janë sekuestruar edhe armë zjarri, gjatë arrestimit. Operacioni u zhvillua në Mamurras. Njëri nga të arrestuarit ishte edhe i dënuar. Operacioni ishte i kuduar me emrin “versaçe”.

Njoftimi i policisë:

Operacioni u zhvillua në lagjen “Demokracia“ në Qytetin e Mamurasit, ku në momentin e kapjes, shtetasve A.S dhe Xh.M, u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip GLOCK së bashku me 4 karikatorë me 60 fishekë luftarak, si dhe 1 armë zjarri pistoletë TT model 54, së bashku me dy karikatorë me 15 fishekë.

Për shtetasin A. S., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Penal të vitit 2017 ka caktuar masën e sigurise “Arrest në burg” për veprën penale ” Vrasja në rrethana të tjera të cilesuara” mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Po kështu shtetasit A.S., i kanë mbetur dhe 2 vite e 6 muaj për të vuajtur dënimin në bazë të vendit të gjykatës së Apelit dhënë në vitin 2018, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Në cilësinë e provës matëriale u sekuestruan 3 armë zjarri, 75 fishekë luftarak, një sasi parash, dy automjete dhe 8 aparate celular.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të kryer nga shtetasi A.S dhe grupi kriminal që ai drejton.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.