Transmetuar më 17-07-2019, 16:19

Struktura më të fortë të drejtësisë shqiptare, asaj të hetimit dhe gjykimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta të qeverisjes dhe politikës, do të ngrihet pas pak muajsh. I tillë është të paktën plani sipas asaj që parashikon kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.

“Kemi një listë që ka ardhur si rezultat i një procedure të dakordësuar paraprakisht, është rezultat i aplikimit sipas atyre kritereve vlerësimi që janë dakordësuar paraprakisht, çdo pakënaqësi që mund të shfaqet kur ballafaqohesh në fund me listën i hap rrugën vetëdijes që është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme.”

KLP ka qenë tejet aktive në filtrimin e kandidatëve dhe mbi një perspektivë të qartë se kur SPAK do të jetë funksional, Gent Ibrahimi, kreu i KLP-së, duke folur për A2 konfirmoi edhe kohën se kur do të jetë në funksion Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ose SPAK .

“Në këto kushte mund të them se shtatori është optimist si afat duke patur parasysh se institucionet e vetting-ut do të duan kohën e tyre për të procesuar të 15 kandidatët e SPAK-ut, por fillimi i tetorit do të jetë koha kur do të jemi në gjendje që të krijojmë strukturën”, u shpreh kreu i KLP-së Ibrahimi./a.m/noa.al/