Transmetuar më 17-07-2019, 13:14

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë ditës së sotme, u shty për të tretën herë gjyqi në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Teksa foli edhe jashtë gjykatës, Tahiri nuk i ka shpëtuar aplikacionit në rrjetet sociale nëpërmjet të cilit shihet se si dukesh në pleqëri.

Kështu ai ka publikuar një foto të veten në versionin plak dhe shkruan ironikisht, “Duke pritur gjyqin….”.

Ai thotë se një gjyq që duhet të ishte shembull korrektese e profesionalizmi, u shty edhe sot.

Tahiri bën me dije se herën e pare u shty se posta pa dashje kishte grisur letrat, herën e dytë se polici nuk kishte bërë njoftimet.

“Hera e tretë, sot, se Prokuroria kishte humbur ca letra e nuk i gjente dot. Letrat me të cilat kërkoi arrestimin tim në parlament, sot i kishin humbur. QESHARAAAAAKE!!!!! Shty e shty e shty… por dita ime nuk largohet dot”, shkruan ish-ministri.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al

Shtyhet seanca, Tahiri: Skandaloze! Prokurorisë i humbin letrat, me të cilat kërkoi arrestimin tim