Arrestohen dy inspektorë të Bashkisë Shkodër, korrupsion në plazhin e Velipojës
Transmetuar më 17-07-2019, 11:09
Foto ilustruese

Dy inspektorë të Bashksë së Shkodrës janë vënë në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Kështu në orët e para të ditës së sotme është finalizuar operacioni i koduar “Akomoduesi”, pasi janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në plazhin e Velipojës.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.

Për këto shkelje u bë ndalimi i Bledar Plorit, 32 vjeç, banues në Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër dhe Isa Mandja, 63 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi Denis Hoxha, 32 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër.

Tre të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një hotel në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e hotelit, shtetasin P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...