Shtyhet seanca, Tahiri: Skandaloze! Prokurorisë i humbin letrat, me të cilat kërkoi arrestimin tim
Transmetuar më 17-07-2019, 10:39

Gjykata e Krimeve të Rënda shtyn për të tretën herë procesin gjyqësor në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

I revoltuar dhe me gjuhë ironike, ai tha se herën e parë procesi u shty, pasi letrat e postës ishin të grisua, të dytën pasi policia nuk kishte bërë njoftimet dhe herën e tretë Prokuroria kishte humbur “ca letra”.

“Edhe një çerdhe kalamajsh është më e organizuar se kaq! Nuk di si mund të humbasin letra në prokurori, kur ka protokoll, sistem, kur dihet se kush ka hyrë dhe ka dalë. Me këto letra Prokuroria kërkoi arrestimin tim dhe sot i ka humbur. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor. Nëse është e qëllimshme, kjo është qesharake, pasi kush ka synim për ta zvarritur ka gjetur një mënyrë të tillë. Janë prova në favorin tim! Nuk ka problem unë heq dorë prej tyre, nga disa dëshmi në favorin tim, vetëm që të mos shtyhet më gjyqi”, u shpreh Tahiri.

Ai tha se një procedim penal që nisi me kërkesë për arrestimin e tij dhe sot humbin letrat me të cilat u kërkua arrestimi, “kjo është qesharake”, madje shtoi se kjo nuk ndodh as në dyqanin më të fundit të Shqipërisë.

Tahiri deklaroi se Ministria e Drejtësisë i ka sjellë përkthimet në Prokurori dhe në këtë drejtim u shpreh se, “Kjo është skandaloze, poshtëruese për drejtësinë jo për mua, shpresoj të bëhet ndryshe. Kjo tregon se shteti ka rënë! Unë kam konstatuar dhe mungesa të tjera dhe ia kam bërë me dije Prokurorisë, dhe drejtuesja e Krimeve të Renda më ka kthyer përgjigje se dosja është e saktë”.

Sipas tij, shteti nuk mund të jetë kështu, dhe drejtësia nuk mund të jetë kështu, duke e cilësuar si diçka të shëmtuar atë që po ndodh.

“Unë nuk e di si mund të ndodh kjo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me një proces kaq mediatik dhe kaq në vëmendje. Kur këto materiale i ka media, si nuk i ka Prokuroria?! Unë e di që do ia dalë, herët a vonë do ia dalë, të jeni të bindur”, deklaroi ish-ministri.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...