“Kasapi” zbulon hajdutët e bagëtive, si vepronin
Transmetuar më 17-07-2019, 09:37
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Lezhës i koduar “Kasapi”, ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh bagëtish në Lezhë dhe Shijak.

Kështu pasditen e kësaj të marte, nga efektivët e policisë së Lezhës, në bashkëpunim me efektivët e policisë Shijak, u bë arrestimi i A.N., 32 vjeç, banues në Kurbin dhe E.L., 38 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë.

Shtetasi A.N., dyshohet se në harkun kohor prill- korrik 2019, ka kryer shtatë vjedhje, konkretisht në fshatin Barbullojë, Tale e Baqel në Lezhë dhe në Karpen, Fllakë, Shijak e Maminas, ku ka vjedhur gjithsej 11 krerë bagëti të trasha, vjedhje këto të dokumentuara në mënyrë ligjore.

Gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një mjet fugon, i marrë me qera nga shtetasi A.N., që shërbente për të transportuar bagëtitë e vjedhura..

Ndërsa arrestimi në flagrancë i shtetasit E.L., u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e tij në Paskuqan, iu gjetën tre krerë bagëti të trasha të vjedhura në Tale, Lezhë dhe në Maminas.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, për të zbuluar ngjarje të tjera ku mund të jenë të përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja”, dhe “Përvetësimi i parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...