Transmetuar më 16-07-2019, 14:17

Pesë vite pas ndarjes nga jeta të këngëtares Vaçe Zela, ndahet nga jeta edhe bashkëshorti i saj, Pjetër Rodiqi.

Lajmi i hidhur është bërë me dije nga vajza e çiftit, Irma Rodiqi, bashkë me një shkrim të ndjerë në rrjetet sociale.

“Një yll më shumë iu shtua qiellit, për të ndriçuar edhe më fort pranë mamit. Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi. Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zëvendësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.

Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai. Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithçka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka patur fatin ta njohë”, shkruan vajza e të ndjerit.

Kujtojmë se këngëtarja Vaçe Zela ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës ku dhe ishte transferuar familjarisht, për të kuruar një sëmundje të rëndë nga e cila vuante. /a.y/noa.al