Transmetuar më 16-07-2019, 08:42
Foto ilustruese

Deri para disa vitesh Lazarati njihej si “njolla e zezë” për kultivimin e kanabisit, deri në organizimin e një operacioni nën drejtimin e ministrit të asokohe Saimir Tahiri, ku u bë asgjësimi i mijëra rrënjëve kanabis, sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike dhe dhjetëra të arrestuar.

E ndërsa ai kultivim në masë nuk vijon të jetë aktualisht, duket se lazaratasit nuk heqin dorë nga “avazi i vjetër”.

Kështu një operacion i policisë së Gjirokastrës i koduar “Sopoti”, ka vënë në pranga katër persona nga Lazarati dhe një nga Saranda pasi gjatë kontrollit në oborret e banesave të tyre u konstatuan të mbjella nga 10 deri 15 bimë të dyshuara narkotike.

Mes të arrestuarve edhe dy gra dhe tre burra.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, gjithashtu mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, gjatë kësaj të hëne në oborret e pesë banesave u konstatuan të kultivuara bimë të dyshuara narkotike.

Kështu si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë B.A., 65 vjeç, banues në fshatin Lazarat; S.A., 40 vjeç, banues në Sarandë; M.K., 69 vjeç, banues në fshatin Lazarat; H.N., 46 vjeçe, banuese në fshatin Lazarat; B.N., 36 vjeçe, banuese në fshatin Lazarat.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. /a.y/noa.al