Transmetuar më 15-07-2019, 17:50

Shqipëria është kanali kryesor për transportin e drogës përmes Adriatikut në drejtim të Italisë.

Kjo e dhënë është bërë e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Antidrogës italiane, e cila ka publikuar raportin vjetor mbi të dhënat e trafikut të lëndëve narkotike në Itali.

Sa i përket trafikimit të marijuanës, në këtë dokument nënvizohet se pjesa më e madhe e sekuestruar në Itali vitin e kaluar është transportuar nga Shqipëria përmes rrugëve të ndryshme, porn ë shumicën e tyre përmes detit.

“Shqipëria është kanali kryesor furnizues për Italinë dhe vendi i origjinës i sasisë më të madhe të marijuanës së sekuestruar gjatë këtij viti.. Sasia e së sekuestruar nga Shqipëria është rreth  6 mijë e 313 kg”, thuhet në raport.

Ndërsa grupet shqiptare që trafikojnë marijuanë, janë të vendosur kryesisht në rajonin e Puglias e në Campagna.

Në raport evidentohet se si Shqipëria mbetet së bashku me Hollandën dhe vendi kryesor në Europë i origjinës së trafikut ndërkombëtar të marijuanës.

Gjithashtu Shqipëria konfirmohet për 2018 si vendi me shtrirjen më të gjerë të plantacioneve të mbjella me hashash në Europë e pas saj vjen Republika Ceke.

Në të njëjtin raport konfirmohe se grupet kriminale shqiptare kanë kanë magazinuar edhe sasi të konsiderueshme të kokainës në portet holandeze e belge, e cila përdoret më pas për llogari të grupeve të trafikantëve të drogës në Europë.

Grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë nga Spanja e Holanda duke e shpërndarë më pas në të gjithë territorin italian. /k.k/noa.al/