Transmetuar më 12-07-2019, 17:24

Kapen 102 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar. Droga u kap në një automjet në Rajo, Igumenicë. Mjeti ishte ngarkuar në kufirin e gjelbër dhe po tentonte të hynte në brendësi të tokës greke.

Brenda në mjet u gjetën dhe sekuestruan 99 pako me 102 kg 590 gram marijuanë. Sipas policisë greke, mjeti ishte i marrë me qira në Greqi.

Policia ka arrestuar shoferin grek 40 vjeç dhe pasagjerin shqiptar 36 vjeç, të cilit iu gjetën në trup edhe 0.2 gram kokainë.

Ky i fundit kishte hyrë ilegalisht në Greqi dhe ndaj tij kishte masë ndalimi hyrje në territorin grek. U sekuestruan edhe 2 celularë.