Transmetuar më 12-07-2019, 16:25

Partia Socialiste ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor katër padi për rezultatin e 30 qershorit. Bëhet fjalë për mandatet për katër këshilla bashkiakë, për të cilat PS kërkon shpërndarjen. Konkretisht paditë janë për bashkitë Ura Vajgurore, Konispol, Devoll dhe Kuçovë.

PS i kërkon Kolegjit të shprehet, pasi KQZ nuk mundi t’i shpërndajë mandatet pasi kjo gjë kërkon 5 vota në KQZ, ndërkohë që kryetari Klement Zguri voton kundër, pasi nuk e njeh procesin dhe respekton dekretin e Presidentit.

Duket se vota kundër e Zgurit, bllokon marrjen e bashkive nga kryetarët e dalë nga 30 qershori, pasi ata nuk nisin dot detyrën pa u betuar në Këshillin Bashkiak.

PS i është drejtuar Kolegjit për certifikim rezultati në mungesë të shumicës absolute prej 5 votave.

Kjo do të thotë që do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve për këshilltarët bashkikë si në rastin e vitit 2011 në bashkinë e Tiranës. Kështu PS-ja do të dërgojë në Kolegj padi për të gjithë bashkitë për t’i certifikuar. /b.l/noa.al/