Transmetuar më 12-07-2019, 14:49
Foto ilustruese, policia Gjirokaster

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve-CRCA/ECPAT denoncon një rast delikat të dhunës seksuale ndaj një të miture nga mësuesi i saj dhe dështimit të sistemit mbrojtës.

Kjo shoqatë thotë se shteti dhe drejtësia në Shqipëri janë dorëzuar para pedofilëve dhe grabitqarëve seksualë dhe se dështimi i plotë i sistemit të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, në nivel qendror dhe lokal, si dhe i atij të drejtësisë, lë pa mbrojtje fëmijët që më së shumti kanë nevojë për ndihmën e shtetit dhe bashkive.

Kjo qendër thotë se nuk ndodh në asnjë vend të botës që një pedofil të lihet dhe në të njëjtën kohë të mos merret as edhe një masë për mbrojtjen e një vajze 11-vjeçare që i ka mbijetuar dhunës dhe ngacmimeve seksuale të mësuesit të saj.

Denoncohet se rasti më i fundit dhe më flagrant që është raportuar pranë Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale, shërbimit më të ri të CRCA/ECPAT Shqipëri, ka të bëjë me abuzimin seksual ndaj një vajze të mitur nga mësuesi i saj.

Sipas të dhënave rezulton se dhuna seksuale ka zgjatur përgjatë tre viteve ndaj nxënëses, që jeton në jug të Shqipërisë, ndërsa sipas të dhënave të ndara nga familja, mësuesi i vajzës duket se nuk ka patur shqetësimin e asnjë autoriteti shtetëror për të dhunuar në mënyrë të vazhdueshme vajzën.

Nënvizohet se që pas denoncimit në polici, mësuesi vetëm sa është pezulluar nga puna, por se në mënyrë të pashpjegueshme, pavarësisht se dhuna seksuale ndaj fëmijëve është një krim i rëndë dhe paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, Gjykata e Gjirokastrës i ka dhënë atij masën e sigurisë me detyrim për paraqitje, duke i krijuar të gjitha mundësitë që të mundë të abuzojë seksualisht edhe me fëmijë të tjerë.

Për më tepër, thuhet se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër nuk është ankimuar as nga Prokuroria e këtij rrethi, duke u bërë palë me një vendim që ka vendosur sigurinë, të drejtat dhe jetën e vajzës në rrezik.

Në të njëjtën kohë shoqata thotë se nga komunikimet nuk duket që sistemi i mbrojtjes së fëmijëve të ketë funksionuar dhe vajza është lënë pa asnjë shërbim psiko-social për mbi një vit, që prej raportimit të çështjes.

“Ky është një dështim spektakolar dhe i patolerueshëm i të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror, ashtu edhe atij të drejtësisë, duke lënë prej kohësh në një situatë të mjerë një vajzë të abuzuar seksualisht që pret që shteti i saj ta mbrojë nga krimi dhe grabitqarët seksualë. CRCA/ECPAT Shqipëri së bashku me Zyrën e Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri i bëjnë thirrje të gjitha institucioneve që të marrin masa të menjëhershme për të hetuar të gjithë përgjegjësit që kanë shpënë në këtë dështim të frikshëm dhe t’i vendosin ata përpara përgjegjësisë, si dhe të përmbushin në mënyrë të menjëhershme detyrimet që rrjedhin nga Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në Shqipëri”, deklarohet më tej.

CRCA/ECPAT Shqipëri thotë se do të kërkojë hetimin e menjëhershëm të gjyqtarit që ka dhënë masën e sigurisë dhe prokurorit përkatës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në të njëjtën kohë bëhet me dije se Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale po punon nga afër me Urdhrin e Psikologut në Shqipëri dhe Linjën Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë-ALO 116 111 për të ofruar mbështetjen e menjëhershme psikologjike për vajzën si dhe për familjen e saj.

“Është e patolerueshme që institucionet publike të bëhen palë me grabitqarët seksuale! Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria Shqiptare dhe Bashkitë e kanë për detyrë që të mbrojnë çdo fëmijë nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi. Boll më me fjalë!”, thuhet në mbyllje të deklaratës.

Rasti në fjalë ka të bëjë me mësuesin M.Dida 63 vjeç, nga fshati Luftinjë në Tepelenë, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me nxënësen e tij të mitur. /a.y/noa.al