Basha: Bashkë me qytetarët do i japim formë projektit tonë
Transmetuar më 12-07-2019, 14:11

Në përfundim të mbledhjes që pati me Kryesinë e Partisë Demokratike, lideri i saj Lulzim Basha deklaroi se vendi po kalon momente dramatike dhe se drama më e madhe është ekonomia shqiptare.

Ai denoncoi se njerëzit nuk kanë para të blejnë bukën e gojës dhe 31% e familjeve nuk mbyllin dot shpenzimet e bukës mujore.

Sipas tij, ky është prioriteti bazë i vendit, dhe se prioriteti i PD është dhënia formë e ndryshimit që pret çdo shqiptar.

“Që gjendja ekonomike të ndryshojë dhe do të ndryshojë, duhet të zgjidhim krizën politike e cila do të zgjidhet vetëm përmes standardeve perëndimore. Ndëshkim regjimit që nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur veten, kur vetë votonte, vetë numëronte dhe shpallte rezultatin. Bashkë me qytetarët këto ditë, javë dhe muaj do i japim formë projektit tonë të projektit ekonomik dhe politik të vendit”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se ditën e djeshme Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi qeverinë shqiptare, si më të korruptuarën e Ballkanit.

Basha tha se prioriteti kryesor është ndryshimi urgjent qeverisë së korruptuar, me një proces zgjedhor sipas standardeve europiane.

Ai nënvizoi se fokusi i opozitës do të vendoset te prioritetet e njerëzve, përmes reformave të thella politike dhe ekonomike.

Kryedemokrati deklaroi në mbyllje se refuzimin e 30 qershorit do ta kthejnë në alternativë për të ardhmen. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...